Lukova është fshat bregdetar dhe fshati më jugor në krahinën e Himarës. Ndodhet direkt midis qyteteve të Himarës dhe Sarandës, konkretisht 21 km larg Sarandës.
Jo më shumë se 30 minuta me makinë nga secili prej këtyre qyteteve, Lukova ofron kushte shumë të favorshme për sa i përket afërsisë me qendrat urbane, zonat e thella malore dhe detin.
Lukova shtrihet në Rivierën Shqiptare dhe ka rreth 3000 banorë.
Nisur nga pozicioni i saj gjeografik tipik mesdhetar, Lukova ka 300 ditë me diell në vit, laget nga deti i Jonit dhe njihet për plazhet e virgjëra.
Banorët e Lukovës quhen lukovjotë. Etimologjia e emrit Lukovë buron nga sllavishtja “llukë”, që do të thotë: vend i gjelbëruar, pyll.
Kufizohet më fshatrat Sasaj e Piqeras, Hundëcovë, Shën Vasil e Nivicë.
Ujërat e saj bregdetare u ofrojnë turistëve mundësinë e një eksperience të kombinuar mes plazhit dhe fshatit në një vend të vetëm. Rrugët e saj të ngushta ruajnë karakterin e vendbanimeve origjinale mesjetare, të shtruara me kalldrëm dhe të dyja anët e rrethuara nga muret e shtëpive, të quajtura avlli.
Fshati shtihet në mes të tarracave me agrume në një peizazh plot kontraste mes kaltërsisë së detit Jon dhe gjelbërimit të kodrave përreth.
Udhëtari francez François Pouqueville, në fillim të shek. XIX e krahason këtë fshat me “Kopshtin e Edenit”.
Në vitin 1431, ekziston dëshmia e parë e shkruar e Lukovës në kadastrën osmane, fshati kishte gjithsej 44 shtëpi dhe rezultonte me emrin "Liukova".
Në vitin 1852, Lukova kishte 340 banorë. Në vitin 1912 fshati u dogj nga osmanët dhe duke iu referuar regjistrimeve në vitin 1913 Lukova kishte 410 banorë. Në vitin 1927, Lukova kishte 470 banorë. Në vitin 1991, regjistrimi numëronte popullsinë në 2076 banorë, por shpejt pas kësaj, pjesa më e madhe e popullsisë emigroi jashtë vendit. Më 1918 u krijua shkolla fillore me mësim në gjuhën shqipe. Në atë kohë, kjo ishte mjaft e rrallë për rajonin, pasi shumica e shkollave që ekzistonin drejtoheshin në greqisht.
Më 1983 u hap Shkolla e mesme e përgjithshme, që u bë qendër e përhapjes së kulturës dhe dijes në zonë. Më 1991 në regjistrimin e popullsisë, Lukova u popullua me banorë nga i gjithë vendi e duke qënë qendër e aksionit kombëtar të rinisë, arriti në 2076 banorë. Sot pjesa më e madhe e popullsisë ka emigruar në Greqi, Amerikë, Kanada, Itali, Gjermani etj.

Si të shkoni në Lukovë
Lukova ndodhet në jugun e Shqipërisë, mes Himarës dhe Sarandës, jo më shumë se 30 minuta me makinë nga të dy qytetet. Mënyra më e mirë për të arritur në Lukovë nga jashtë vendit është të fluturosh fillimisht në Korfuz dhe më pas të marrësh tragetin për në Sarandë. Nga Saranda është 25 minuta me makinë deri në Lukovë. Mund të merrni edhe çdo minibus (furgon) nga Saranda që shkon në veri në drejtim të Himarës, Dhërmiut ose Vlorës.
Ose mund të fluturoni për në Tiranë dhe të merrni autobusin për në Sarandë, që merr rrugën bregdetare dhe zbret në qytetin e sipërm të Lukovës.

Historia
Vendbanimi i Lukovës ndoshta daton në shekullin e njëmbëdhjetë, megjithëse terreni duket se ka qenë i banuar që nga lashtësia. Vendndodhja e saj e hershme është qyteza e Dhoknës në kodrat e Gjashnjarit që i takon shek. III - II p.e.s.
Ngjarjet nuk konfirmohen, por legjenda lokale thotë se Dhokna u shkatërrua në antikitet, u dogj nga legjionet romake të gjeneralit Paulus Emilius, në vitet 167-169 p.e.s, së bashku me shtatëdhjetë qytete të tjera në Epir.
Banorët e Lukovës historikisht janë marrë me blegtori dhe më pak me bujqësi apo peshkim, pavarësisht nga afërsia me detin. Në mesjetën e vonë, shumë nga banorët e Lukovës migruan dhe punuan si punëtorë krahu në Francë dhe Itali. Një numër i madh shqiptarësh emigrantë nga Lukova vepronin si ushtarë në ngarkimin e Mbretërisë së Napolit, duke u dalluar për të qenë të aftë veçanërisht në pushkatim. Në betejat, thuajse të vazhdueshme kundër pushtuesve osmane në shekullin e shtatëmbëdhjetë, Lukova, si shumë fshatra bregdetare, ishte një vatër e përpjekjeve të rezistencës.
Dokumentet nga repartet e Mbretërisë së Napolit, që datojnë në shekullin e tetëmbëdhjetë shënojnë një betejë në të cilën u vranë tridhjetë banorë të Lukovës.
Fshati u dogj nga osmanët në vitin 1912, duke e detyruar popullsinë të shkonte në mërgim në Korfuz për gati një vit. Banorja më e famshme e Lukovës është figura legjendare Kalina. Kalina ishte një forcë kryesore gjatë rezistencës popullore të shekullit të shtatëmbëdhjetë dhe historia e jetës së saj është transmetuar përmes legjendave nëpër breza.

Fotot e tarracave duke punuar, marrë nga libri i Ylli Polovina, “Komunizmi siç e pashë”
Tarracat dhe aksionet
Gjatë sistemit socialist, kur bujqësia ishte një nga sektorët kryesorë ekonomikë dhe qasja ishte "të mbështetemi në burimet tona"; përpjekjet e gjera për tarracimin e terrenit kodrinor dhe malor të Lukovës filluan që nga viti 1966 e më tej. Tarracat përbëjnë peizazhin aktual kulturor të Lukovës dhe bregdetit. Në vitin 1972, Lukova u bë qendra e Ndërmarrjes Bujqësore në Bregdet.
Në sektorin e bujqësisë, Lukova ishte "Qendra e Veprimit Rinor Kombëtar".
Gjatë periudhës së kooperativës bujqësore 1957-1972 u bënë tarracimet, kanalizimet dhe objektet e ndryshme. E gjithë kjo pasuri në vitin 1972, u kthye në Fermë Shtetërore.
Prej vitit 1972 e në vazhdim, u shpyllëzua pjesa e mbetur e trojeve të Lukovës, të cilat fshati i shfrytëzonte për kullotë dhe për zhvillim.
Tradita e fshatit në bujqësi, e ngritur ndër shekuj dhe frutikultura e shumëllojshme e zgjeroi më tej shtetin në 20 vitet e fundit të sistemit komunist, ku bahçet e Lukovës në gjithë sipërfaqen, kullotat, kodrat, luginat i ktheu në një Fermë model, të njohur si “N.B.Lukova”, ku çdo kodër u shpyllëzua dhe u mboll me agrume, limona, portokalle, mandarina dhe ullishte nga banorët e fshatit. Aty numëroheshin 12 brigada me rreth 50 punëtorë secila dhe krahas tyre puna vullnetare e 800-2.000 aksionistave qe vinin çdo muaj nga çdo skaj i Shqiperisë.
Boria e anijeve në det sinjalizonte Portin tregtar të Bunecit që shërbente për eksportin e mijëra tonë agrumeve dhe ullinjve kryesisht drejt Evropës Veriore, orën e vjeles së prodhimit, ndërsa një qendër zëri në qendër të fshatit buçiste dhe zgjonte klasën punëtore.

Fshati i vjetër
Fshati i vjetër i Lukovës është stil tipik mesdhetar dhe është vendi ku jetojnë banorët më të hershëm të Lukovës. Me rrugicat e ngushta dhe të kalldrëmta, shtëpitë e vjetra karakteristike me dyert shumëngjyrëshe dhe të mbuluara me disa lloje lulesh, ky fshat duket sikur të transporton në një përrallë. Aromat dehëse të luleve shoqërohen me cicërimat e dallëndysheve, që fluturojnë paqësisht mbi të gjithë Lukovën. Pothuajse në çdo rrugicë sheh kanalet e ujit majtas dhe djathtas rrugës. Aty nuk mund të futen makina. Në shtëpitë e vjetra mund të shihen portat e oborreve me harqet e gurta, ndersa shkrimet dhe figurat e skalitura në to tregojnë trashëgiminë kulturore që mbartin ndër vite. Aty janë xhiruar mbi 20 filma dhe 10 videoklipe.

Arkitektura
Shtëpitë e Lukovës janë ndërtuar me gurë lokalë. Pothuajse pas çdo shtëpie ka pemishte dhe vreshta. Shtëpitë e vjetra në Lukovë kanë ruajtur cisterna në tokë, që dikur furnizoheshin nga uji i shiut. Këto cisterna në katet përdhese kanë shërbyer historikisht si një vend ku mund të ruhej edhe ushqimi, për shkak të temperaturave të qëndrueshme dhe më të ftohta. Shtigjet e vogla të krijuara nga njeriu dhe kafshët përshkojnë kodrën në të cilën është ndërtuar fshati, që të çojnë nga rruga kryesore, përmes tarracave bujqësore deri në breg të detit. Fshati shtrihet mbi dy kodra të mbuluara me plantacione ulliri dhe portokalli në një lartësi prej 150 metrash mbi nivelin e detit.
Bërthama e këtij fshati shquhet për integritetin e lartë të ruajtjes së arkitekturës tradicionale të ndërtimit, me banesa dy deri tre katëshe, si dhe portat e tyre me qemer dhe qoshet e gdhendura me simbole tradicionale të bestytnisë popullore të zonës.

Folklori
Deri në fillim të shekullit të njëzetë, burrat në Lukovë vishnin fustanellën - një pëlhurë e qepur nga endja në tezgjah, duke përdorur fije leshi ose liri të hollë. Fustanella qepej në ngjyrë të bardhë, pantallona që ndalonin pak poshtë gjurit. Poshtë, burrat mbanin një tirg të bardhë, ose pantallona të gjata, të lidhura me gërsheta me xhufka. Në krye, burrat mbanin jelek bardh e zi dhe një kapele tradicionale të kuqe me një xhufkë të verdhë. Veshja e tyre shoqërohej me këpucë tradicionale mokasine lëkure, kryesisht të kuqe me thekë të zeza sipër. Nën jelek, burri kishte këmisha me mëngë të gjera, të punuara në pëlhurë të bardhë kambrik ose të importuar. Në mes, në vendin ku bashkohej jeleku, mbështillej një brez i gjatë, i punuar me fije liri, kryesisht me ngjyrë të kuqe dhe rrallë kafe. Ky brez ishte rreth dy metra e gjysmë i gjatë dhe i gjerë sa pëllëmba e dorës.
Veshja tradicionale femërore njihet si veshta—një rrobë e mbështjellë, fundi i së cilës është zbukuruar me një shirit të punuar me grep me ngjyra të pasura. Në vend të veshtës, gratë e moshuara mbanin një copë të gjatë e të gjerë, me ngjyrë të errët. Në Labëri, fustani do të shoqërohej me një triko të thurur.
Ngjyrat korrespondonin me moshën e gruas (e kuqe për vajzat e reja, errësuar me kalimin e moshës). "Kënga e Lukovës", e ngjashme me shumë fshatra të tjerë në jug është polifonia e harmonizuar e zërave të ndryshëm në një linjë të vetme melodike. Përveç kësaj, këngët e dasmave dhe funeraleve paraqesin interes për studiuesit për shkak të pranisë së elementeve pagane në to.

Vendet e kultit
Ka dëshmi se një shenjtor i kishës së krishterë ortodokse, Oshenar Nifoni, ka lindur në Lukovë diku gjatë shekullit të trembëdhjetë. Fillimisht punoi si prift në manastirin e Mesopotamisë, ndërsa më vonë arriti gradën më të lartë të Patriarkut Ekumenik në Kostandinopojë në 1310, dhe u shenjtërua pas vdekjes së tij.
Kisha e Shën Kollit, emër i marrë nga Shën Nifoni ndodhet gjatë rrugës që të nxjerr te rruga nacionale, ëstë një kishë e vogël, e aksesueshme lehtë nga turistët.
Disa metra larg qendrës së fshatit ndodhet Kisha Shën e Premte, Monument Kulture i kategorisë së parë (I).
Kisha daton prej vitit 1600 dhe ndodhet në një kodr me pamje nga deti Jon.
Dikur kisha Shën e Premte kishte një kambanë, e cila ishte dhuruar nga mbreti i Napolit në vitin 1695, por u zhduk në vitin 1967, gjatë shkatërrimit masiv të kishave dhe xhamive që u bënë nën regjimin e Enver Hoxhës.
Kisha e Shën Thanasit ndodhet në fshatin Lukovë, 22 m larg fushës së sportit dhe 223 m larg rrugës kombëtare. Athanasius I i Aleksandrisë (296-292 – 2 maj 373), i quajtur ndryshe Athanasius i Madh, ishte një "baba" i kishës greke dhe Papa i 20-të i Aleksandrisë. Episkopata e tij zgjati 45 vjet. Ai ishte një teolog i krishterë, themelues i kishës, mbrojtës i Trinitarizmit dhe një udhëheqës i Krishterimit në Egje gjatë shekullit të katërt.



Plazhet dhe gjiret
Fshati Lukovë nuk është i lidhur fizikisht me plazhin, por deti nuk është larg. Lukova në bregdetin e saj të gjerë strehon një numër të madh plazhesh të përmasave të ndryshme, duke filluar që nga plazhet e vogla me një atmosfere tejet intime deri tek plazhet popullore.
Pasi të jeni në rrugën nacionale që kalon përmes Lukovës, do të gjeni shenja të plazhit: “Plazhi i Shpellave” të Lukovës dhe “Plazhi i Bunecit” i njohur nga pushuesit.
Plazhi i Shpellës Lukovë gjendet 25 km larg Sarandës. Plazhi pranë saj, ka emrin e shpellës së Lukovës.
Rruga për në “Plazhin e Shpellave” ndjek kodrat poshtë si një rrugë gjarpëruese midis ullinjve.
Plazhi i Bunecit shtrihet mes Borshit e Lukovës, i vendosur në dy krahët e përroit të Lapardhasë.
Ai ka formën e harkut, me një gjatësi të vijës së bregut 2000 m dhe në dy krahët e pistës së betontë ankoroheshin dikur anijet ushtarake, ndërsa tani varkat e peshkatarëve.
Në Lukovë mund të gjeni disa plazhe private si Matias Fish dhe La onda, dy plazhet më të frekuentuara, Beach Bar dhe Restorant.
Ju mund të merrni me qira shtretër plazhi dhe çadra nëse dëshironi, por gjithashtu mund të vendosni peshqirët e plazhit buzë detit për të marrë disa rreze dhe për të shijuar natyrën.
- Gjiri i Barklesë dhe gjiret e tjerë të fshehur të bregdetit ofrojnë pamje mahnitëse që të lënë pa frymë të plazheve të virgjëra në Lukovë, të paprekura nga dora e njeriut. Për t’i parë rekomandohet ecja disa minuta në këmbë.
- Lumra ndodhet në bregdetin e virgjër të Lukovës, aty ku mali puthet me detin dhe guralecët e bardhë. Rruga dhe shtigjet përmes ullishteve të çojnë në gjiret e fshehura natyraliste poshtë në breg. Në këtë zonë ndodhen disa prej kampingjeve më të njohura.
- Mrostari përfshin ish-rrugën e vjetër të agrumeve në kohën e brezareve para viteve ‘90, shtigjet dhe rrugën që të çon te “Plazhi i Shpellës”.


Qafa e Pazarit
Gjurmë të një kalaje të vjetër që besohet të jetë e shekullit III-II-të para Krishtit janë gjetur edhe në vendin që fshatarët e quajnë “Qafa e Pazarit”.
Aty gjenden mbetjet e qytetit epik të Dhoknës, ndërtim që daton 2000 vjet më parë nga popullsitë e fisit të kaonëve. Qafa e Pazarit ka shërbyer si qendër tregtare midis Himarës, Korfuzit, Delvinës dhe Gjirokastrës. Aktualisht mund të shihen vetëm disa mure antike. Mbetje të tjera të vogla të qytetit antik mund të shihen të shpërndara midis kodrave të Lukovës.
Gjithashtu gjenden edhe varret antike shek. V-IV p.e.s. “Varret e Jelimëve”, 2.5 km larg qendrës së fshatit në rrugën e “Plazhit të Shpellës”, në vendin e quajtur “Kala”.
Nëse ecni rrugëve të fshatit mund të zbuloni ujësjellësin e vjetër, që tashmë shërben si një burim nga mali me ujë të ftohtë dhe bunkerët e periudhës së komunizmit.

Kampingjet dhe ‘Glumping’
Turistët që mbushin fshatin muajt e verës, janë natyralistë. Kamperat dhe çadrat përhapen nëpër ullinjtë e shumtë që bashkohen në harmoni të plotë me ngjyrën e kaltër të detit Jon.
"Gate to Horizon", e ka marrë emrin për shkak të bukurisë natyrore që e rrethon. Perëndimet e diellit dhe një pamje e mrekullueshme e horizontit i dhanë emrin këtij vendi.
"Llaka e Bredhanit" quhet zona poshtë plazhit, pjesë e fshatit Lukovë ku ndodhet kampingu, në bregun e Lumrës. Është një plantacion me ullinj të vjetër dhe agrume të ndryshme që ofron shumë hije dhe freski gjatë ditëve të nxehta të verës. Është një vend për pushimet aventureske dhe adhuruesve të natyrës.
Vendi i kampingut konsiderohet si një vend i qetë, i rrethuar nga natyra. Gjithashtu ka aktivitete në kamping si hiking, zhytje, surfing me erë etj.
Turistët ngrenë çadrën e vet dhe mund të përdorin lehtësisht ambientet e kampingut. Ka një skarë për t'u përdorur për këdo që kënaqet me BBQ. Kryesisht turistët e huaj marrin me vete dhe automjetet e posaçme rulotë ose kampera për kamping.
Në kamp mund të gjeni produkte Bio nga fshati si dhe vaj ulliri Bio nga ulliri dhe agrumet që ndodhen aty. Restoranti ofron shije të mrekullueshme të produkteve të freskëta të detit Jon.
Përveç tij gjenden edhe disa kampingje të tjera që frekuentohen kryesisht nga të huajt.
Aktualisht është duke u përgatitur edhe një glumping i ri, ku do të ndërthuret elementi natyralist me modernen.


Hotelet dhe bizneset e zonës
Në Lukovë gjenden hotele dhe dhoma pushuesish për të gjithë vizitorët që duan të kalojnë disa ditë në perlën e Rivierës Shqiptare. Ndër to po rendisim:
- Hotel Itaka. Mes gjelbërimit dhe me një pamje mahnitëse nga deti, krahas dhomave dhe vilave private me mure guri, ofron një tarracë, një bar, restorant, pishinë të jashtme, ajër të kondicionuar falas dhe parkim falas privat. Me një mjedis shumë miqësor ku ndërthuret tradicionalja me modernen, Hotel Itaka ofron një opsion perfekt për ata që duan qëndrim komod dhe facilitete. Pronari i këtij hoteli, Z. Odise Papa thotë se “Gjelbërimi dhe bregdeti në Lukovë janë në harmoni të plotë. Perëndimi i diellit është një premierë që shfaqet çdo mbrëmje në horizont”, ndërsa mendon se vitet e fundit turizmi bregdetar në jug të vendit ka ndryshuar mënyrën e shërbimit ndaj pushuesve në sensin pozitiv.
- Apartamentet Eduart Lagji kanë pamje mahnitëse nga deti ose nga koshti plot me gjelbërim, agrume dhe lule. Ka WiFi falas dhe parkim privat falas. Ndodhet 2.5 km nga plazhi i Lukovës. Çdo njësi ka një aneks kuzhine, ajër të kondicionuar, një TV me ekran të sheshtë dhe një banjo private me tharëse flokësh, ballkon dhe gardërobë.
- Hotel Vila Kafe. I vendosur në Lukovë, 2.8 km nga plazhi i Bunecit, Hotel Vila Kafe ofron akomodim me një pishinë të jashtme sezonale, parkim privat falas, një kopsht dhe një sallë pritjeje të përbashkët. Hoteli ka një tarracë dhe një bar. Në hotel, dhomat kanë një ballkon. Çdo dhomë është e pajisur me ajër të kondicionuar dhe një TV me ekran të sheshtë, dhe disa njësi në Hotel Vila Kafe kanë pamje nga deti.



Në Lukovë ka disa restorante që shërbejnë ushqim të shijshëm mesdhetar. Sugjerohen disa pika ku mund të konsumohet ushqim i cilësisë së lartë: Një prej tyre është restorant Perla në hyrje të fshatit, ku supa, sallata dhe gatimet e peshkut nga zonja e shtëpisë janë të mrekullueshme.
Restorant Panorama, krahas ushqimit dhe pijeve cilësore ofron një pamje mahnitëse mbi det, ashu siç ka dhe emrin.
Për të dashuruarit pas brumit dhe picës, Lukova ofron një nga piceritë më surprizuese të Rivierës shqiptare. Piceri Riviera Lukovë, një ballkon mbi det, në një kënd të vogël të rrugës kryesore që shkon përmes fshatit, do t’ju befasojë.
Kjo piceri e vogël, në mbrëmje është e mbushur me turistë të huaj, kryesisht gjermanë e zviceranë, edhe pse është ende fillim qershori.
Një tjetër piceri gjatë rrugës kryesore në fshat quhet Piceri Era dhe ofron pica të shijshme në furrë druri. Gjithashtu ofron transport në çdo zonë të plazhit apo fshatit.

Lukova është një vend i mrekullueshëm për t'u çlodhur dhe për të shijuar natyrën, gjithashtu mund të shijoni edhe bukuritë e fshtatit me dyqane, kafene dhe restorante. Përveç plazheve, ambienti është i mrekullueshëm edhe për shëtitje ose kalërim.

VIZITË TË MBARË!
